Rezarta Shkurta rrëfehet për periudhën e errët të jetës, sdua ta mendoj rikthimin e dashurisë

11.10.2017 22:44

Kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur bashkëshorti i Rezarta Shkurtës, Ermal Hoxha, është arrestuar. Pas asaj ngjarjeje, këngëtarja e njohur ka vendosur të jetë më e tërhequr ndaj vëmendjes mediatike dhe të përkushtohet më shumë te biznesi i saj privat e sidomos te vajza, Hera, e cila pas disa ditësh feston 4-vjetorin e lindjes. Është e vështirë, është e trishtë, por Rezi, gjithsesi ia ka dalë. Ose mundohet ta bëjë për hir të së bijës, por edhe vetes…

Shumë kohë pas refuzimit të intervistave mediatike, Rezarta u shfaq disa muaj më parë në Xing me Ermalin, nga ku rrëfeu edhe pengjet e saj, jetën pa Ermalin, por edhe forcën që ka gjetur brenda vetes për të vazhduar përpara derisa ai të kthehet pranë familjes. Ndërsa sot, edhe pse e çmësuar me intervistat, e pati të vështirë t’i përmbajë emocionet ndërsa ka rrëfyer jetën e re, e cila është e gjitha e përkushtuar te puna dhe te Hera.

Pak muaj më parë, Rezi iu kthye tregut muzikor me një këngë të re, e cila ishte një dedikim personal dhe shumë i ndjerë për dashurinë e jetës së saj, frika për të cilën i është bërë edhe më e madhe. “Gjysma ime” ishte një baladë e shkruar me fjalë zemre, një dedikim për Ermalin, mallin dhe mungesën për të. Çuditërisht, Rezi tregon se nuk e ka parë asnjëherë se si është pritur, sa është klikuar apo sa është pëlqyer kënga: “Më trishton” – thotë ajo duke pranuar se koha në të cilën ajo është realizuar ka qenë një kohë mjaft delikate: “Nuk di çfarë të të them për relizimin e saj.

Është realizuar në pak orë, pa një plan apo regji të mirëfilltë, sepse më dukej e tepërt që të kishte shumë, por ndoshta isha edhe në një moment të vështirë. Çdo ditë që kalon, aq më shumë forcohem me situatën, por në atë moment të këngës isha më e brishtë… E vetmja këngë që nuk e dëgjoj dot, sepse më trishton. Më beson që nuk e kam klikuar dhe as nuk e di fare si është pritur? Mundohem ta evitoj maksimalisht”

Po rikthimin e bashkëshortit, pas pritjes së gjatë si e mendon? As për këtë, këngëtarja nuk ka asnjë përgjigje konkrete. Si natyrë shumë supersticioze, ajo nuk do të mendojë për këtë. Tani, e vetmja gjë që do është të vazhdojë përpara për Herën dhe ta mbushë kohën sa më shumë me punë: “Mundohem të mos e mendoj as këtë.

Nëse e mendoj shumë rikthimin e dashurisë sime pranë meje, kam frikë se, nëse do të shtyheshin gjërat, do trishtohesha më shumë. Kur të ndodhë, do ta shijoj. Në ditët e para, vetëm ta mendoje se do të zgjasnin disa muaj, më dukej tragjedi. Vitet as që mund t’i imagjinoja. Në çdo seancë gjyqësore shpresoja të më thoshin “mbaroi me kaq”, por seancë pas seance rivuajia situatën nga fillimi…” – shton Rezi.

Jeta, prej kohësh ka marrë një rrjedhë tjetër, por a vazhdon ajo të jetë aktive në jetën artistike, të jetë pjesë e eventeve të ndryshme muzikore të kolegëve të saj? Por për një rikthim në muzkië çfarë ka menduar?

Edhe për këto pyetje, Rezi nuk ka asnjë përgjgjie konkrete. Koha është ajo që e privon më shumë, megjithatë, kur gjen mundësinë, shfaqet edhe në festa apo evente të mëdha artistike. Ndërsa rikthimin në muzikë, pas “Gjysma ime” nuk e mendon.

Të paktën jo tani për tani: “Ajo këngë lindi në një moment shumë të vështirë emocional për mua, shpirtërisht jam shkëputur pak. Koha është vërtet një luks tashmë për t’iu përkushtuar muzikës. Momentalisht shpirti është gjysmë, do këndoj kur të më këndojë shpirti…”

Më e tërhequr nga mediat, nga jeta artistike, por akoma mjaft kreative dhe e suksesshme në biznesin e saj. Zemra është përgjysmë, por ka plot arsye për të vazhduar para.

Source @revistaclass.al